Këshilli Drejtues

SHOQATA KULTURORE SHQIPTARE MONTREAL – KRYESIA

Të nderuar anëtarë dhe dashamirës të Shoqatës Kulturore Shqiptare të Montrealit (Sh.K.Sh.M.),

Në datën 6 prill 2025 u mbajt mbledhja e përgjithshme e Sh.K.Sh.M., ku u analizua puna dy vjeçare e saj dhe u diskutua synimi në funksion të vazhdimësisë. Nga pjesëmarrja, u vu re një interesim i plotë i anëtarëve dhe angazhimi i tyre për të gjallëruar punën e shoqatës sonë dhe për ta ngritur atë në një nivel të ri. E veçanta e kësaj mbledhjeje ishte pjesëmarrja e të rinjve, të cilët do të garantojnë një impuls pozitiv dhe rritje cilësore për aktivitetet tona në të ardhmen.

Diskutimet nxorrën në pah punën e lavdërueshme të bërë nga kryesia, gjatë dy viteve para pandemisë.

Anëtarët që morën fjalën shprehën dëshirën për të dhënë kontribute reale në krijimin e një game aktivitetesh të qëndrueshme në formë tradicionale. Objekti i tyre do të jetë afrimi dhe kujdesi kundrejt të gjitha grupmoshave, sidomos të rinjve, me qëllim që të garantohet transmetimi i vlerave dhe traditave më të mira shqiptare ndër breza.

Në përfundim të kësaj mbledhjeje u zgjodh dhe kryesia e re. Anëtarët e kryesisë, po i prezantojmë shkurtimisht më poshtë:

Julinda Basha, Kryetare

Ka mbaruar shkollën e lartë në Tiranë për Infermieri e Përgjithshme, me specializim në neurologji. Mbas një karriere të gjatë në infermieri si në Shqipëri dhe në Itali, mbaron dhe specializimin në infermieri kardiologji në Montreal. Aktualisht punon në « Institut de cardiologie de Montréal ». Për më tepër, zhvillon paralelisht nje aktivitet privat në linjë me kompaninë Arbonne si dhe ka në pronësi një sallon bukurie & estetike.

Korab Xharra, Nënkryetar

Me origjinë nga Gjakova dhe banues në Montreal që prej vitit 1999, Korab Xharra është një figurë e njohur në komunitetin shqiptar të qytetit. Që nga ardhja e tij në Kanada, ai është angazhuar me përkushtim në jetën komunitare shqiptare, duke kontribuar aktivisht në ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kombëtar.

Në jetën profesionale, Korabi është broker imobiliar në fushën rezidenciale, ndërsa në planin shoqëror dhe kulturor ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me komunitetin. Është një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqatës “Kosova” në Montreal, një organizatë që ka luajtur rol të rëndësishëm në bashkimin e shqiptarëve të zonës dhe në mbështetjen e çështjes kombëtare, sidomos në vitet e para të diasporës.

Sot, në rolin e nënkryetarit të Shoqatës Kulturore Shqiptare në Montreal, Korabi synon të vazhdojë këtë rrugëtim me pasion dhe përkushtim — duke forcuar lidhjet mes brezave, organizuar aktivitete që pasqyrojnë historinë dhe vlerat shqiptare, dhe duke krijuar një hapësirë të gjallë e përfaqësuese për të gjithë shqiptarët e Montrealit.

Azra Isufi Gushta, Sektretare

Azra është një ndër anëtaret më të përkushtuara të Shoqatës Kulturore Shqiptare në Montreal, e cila me profesionalizëm dhe përkushtim kontribuon prej në jetën e komunitetit shqiptar në këtë qytet.

Ajo ka përfunduar studimet në Financë-Kontabilitet në Universitetin e Shkodrës dhe më pas ka mbrojtur masterin në Finance & Banking në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Për më shumë se një dekadë, Azra ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në sektorin bankar shqiptar, duke punuar në institucione të njohura si Credins Bank, Societe Generale Albania dhe OTP Bank, në pozita të rëndësishme si këshilltare për kredidhënie, hipotekë dhe shërbim ndaj klientit.

Pas zhvendosjes në Montreal, ajo vazhdoi rrugëtimin e saj profesional, duke punuar aktualisht si agjente financiare në shërbimet gjyqësore pranë Ministrisë së Drejtësisë së Quebec-ut, dhe gjithashtu si celebruese e martesave civile.

Në Shoqatën Kulturore Shqiptare në Montreal, Azra mban rolin e sekretares, një pozicion kyç në strukturën organizative të shoqatës. Me përpikëri dhe përgjegjësi, ajo kujdeset për dokumentacionin, komunikimin dhe koordinimin e aktiviteteve tona.

Ajo është një pjesë thelbësore e shoqatës sonë, dhe përmes angazhimit të saj të palodhur, ndihmon në forcimin e komunitetit shqiptar dhe ruajtjen e vlerave tona kulturore në diasporë.

Merita Bashari, Financiere

Ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë në UT dhe studimet për Kontabilitet Profesional në ʺHECʺ, Montreal. Ka punuar për ʺNations Women’s Groupʺ në Cairo dhe ʺDakar Women’s Groupʺ në Senegal. Mbas një karriere tek ʺBanque Nationaleʺ, tashmë është në pension.

Anna Hasa, Anëtare kryesie

Anna Hasa, e lindur dhe e shkolluar në Shqipëri, ka jetuar për disa vite në Europë përpara se të vendosej në Kanada. Pervoja e saj në vende të ndryshme e ka pasuruar me një vizion të gjerë kulturor, duke e bërë edhe më të vendosur për të ruajtur dhe promovuar identitetin shqiptar kudo që jeton.

Me profesion, Anna është estetiste, një fushë ku përkushtimi, kujdesi dhe kreativiteti shihen çdo ditë në punën e saj.

Ajo është e angazhuar në Shoqatën Kulturore Shqiptare në Montreal, me dëshirën për të qenë më pranë bashkëkombasve dhe për t’i bashkuar ata rreth gjuhës, kulturës dhe traditës sonë.

Anna është krijuesja dhe sot koordinatore e grupit të valleve Albos, i cili u formua nga 10 vajza shqiptare që rriten ditë pas dite si fizikisht ashtu edhe profesionalisht. Kontributi i saj në Shoqatë është i çmuar, sidomos në komunikim, organizim eventesh dhe në përkushtimin e saj vullnetar.

Për Anën, kjo shoqatë nuk është vetëm një vend aktivitetesh, por një familje e madhe, ku çdo shqiptar ndihet i lidhur me rrënjët e veta, pavarësisht largësisë nga atdheu.

Anila Hasko, H.D, B.Sc, M.Ed, Anëtare kryesie

Me mbi 26 vite që jeton në Montreal, Anila Hasko është një profesioniste e përkushtuar në fushën e shëndetit të gojës, edukimit dhe angazhimit komunitar.

Ka përfunduar studimet për Stomatologji në Universitetin e Tiranës dhe është diplomuar për Higjienë Dentare në John Abbott College, ku që prej vitit 2008 punon si pedagoge në programin e Higjienës Dentare.

Paralelisht, Anila ushtron profesionin në klinikën e saj të pavarur OraSmile, dhe angazhohet në kompaninë ndërkombëtare Arbonne, duke ndjekur pasionin për mirëqenien dhe kujdesin personal.

Me përkushtim të veçantë ndaj gjuhës dhe trashëgimisë shqiptare, Anila është gjithashtu koordinatore e Shkollës Shqipe “Naim Frashëri” në Montreal, ku luan një rol kyç në edukimin e brezit të ri në gjuhën amtare.

Pjesëmarrja e saj në Këshillin Drejtues të Shoqatës Kulturore Shqiptare në Montreal pasqyron një përkushtim të thellë për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë, duke sjellë vlera të çmuara për komunitetin tonë.

Ralf Carcani, Anëtar kryesie

I lindur në Durrës, Ralf Carcani u shpërngul në Kanada me familjen në moshën 7-vjeçare dhe deri në moshën 18-vjeçare kaloi çdo verë në Shqipëri, duke ruajtur rrjedhshmërinë në gjuhën shqipe.

Sot, Ralfi është agjent imobiliar për prona korporative dhe komerciale pranë CBRE, kompanisë më të madhe në botë për shërbime imobiliare dhe pjesë e listës Fortune 500. Klientët e tij janë institucione të rëndësishme dhe shpesh ndërkombëtare, përfshirë Bankën e Zhvillimit të Kanadasë. Në vitin 2022, në moshën 24 vjeç, fitoi çmimin Emerging Leader for Canada brenda CBRE.

Në kohën e lirë, Ralfi i bie kitarës, është aktiv në stërvitje fizike e çiklizëm, dhe merret me investime imobiliare me familjen. Së fundmi, ai është bërë pjesë e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Montreal për të kontribuar në promovimin e kulturës shqiptare pranë rinisë shqiptaro-kanadeze.

Anastasia Guberaj, Anëtare kryesie

Anastasia ka përfunduar specializimin në Fizikë në Concordia University. Me origjinë nga Vlora, është rritur në Greqi dhe prej 5 vitesh jeton në Kanada. Aktualisht, punon me kohë të pjesshme si mësuese në Shkollën Greke të Montrealit, ku i mëson fëmijëve gjuhën dhe kulturën greke, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Për 3 vite me radhë, Anastasia ka qenë Nënkryetare e Financimeve në Concordia Relay for Life, ku ka organizuar me përkushtim aktivitete për mbledhje fondesh në mbështetje të Canadian Cancer Society

Tashmë, Anastasia është pjesë aktive e Shoqatës Kulturore Shqiptare ne Montreal, me dëshirën për të qenë më pranë rrënjëve të saj dhe për të kontribuar me pasion në jetën kulturore e shoqërore të komunitetit shqiptar në Montreal.

Mentor Avdiu, Anëtar kryesie

Ka lindur në qytetin e Beratit, në vitin 93 emigron në Greqi aty me pasion profesionalizohet si elekto-mekanik në industrinë ushqimore. Më tej ai hap kompaninë e parë në riparimin e paisjeve për guzhinat komerciale, që e drejton nga 2003 deri 2013. Po në këtë vit ai zhvendoset në Montreal fillon punë si specialist i kësaj fushe. Pa mbushur vitin hapi në Montreal kompaninë për riparme, mirëmbajte të paisjeve për të gjitha llojet e guzhinave. Atë e karakterizon korrektesa dhe cilësia në punë.

Ermir Dardha, Anëtar kryesie

BSc, BA, MBA, ka prej më shumë se një dekade që banon në Montréal, Kanada. Ai është student i brezit të parë shqiptaro-amerikan që ka kryer studimet gjatë 2002-2006 në Empire State University dhe UNYT. Ermiri është specialist i ekonomisë ndërkombëtare me një karrierë dhe eksperiencë te pasur në institucione të ndryshme financiare e bankare. Ne Shqipëri, ai ka punuar në ProCredit Bank, ndërsa në Montreal ka punuar në Bankën Nacionale NBC si këshillues personal, për Capital One si këshillues borxhi, dhe prej 2021 punon për një institucion financiar si këshilltar i përgjithshëm.

Glen Kasneci, Anëtar kryesie

Ka mbaruar studimet universitare për Administrim Biznesi në Universitetin Concordia, Montreal; specializuar në biznes ndërkombëtar dhe në praktikat ligjore të biznesit. Pas përfundimit me sukses të MBA në Hult International Business School Boston, është punësuar si Portfolio Manager nga firma Rothenberg Wealth Management.

Të dashur anëtarë dhe simpatizantë, kryesia e re ju shpreh mirënjohjen për pjesëmarrjen dhe mbi të gjitha për mbështetjen e gjithanëshme; morale e financiare.

Përfitojmë nga rasti që t’ju premtojmë se do të bëjmë më të mirën në shërbim të komunitetit, për realizimin e objektivit tonë kryesor: ruajtjen, pasurimin dhe transmetimin e traditave kulturore shqiptare ndër breza.

Të gjithë ju që dëshironi të jepni kontributin tuaj, ose thjesht të bëheni pjesë e listës sonë të kontakteve, ju ftojmë të na shkruani në adresën e-mail: shkshmtl@gmail.com.

Anëtarësimet mund të bëhen në adresën : shkshmantar@gmail.com.

Me respekt

Kryesia e SHKSHM

Arkiva