Në datën 6 tetor 2024, nga ora 11 paradite deri në orën 3 pasdite, autori Ilir Ikonomi do të prezantojë librin e tij më të fundit “Fan Noli – Apostulli”BANQ – Grande Bibliothèque et Archives Nationales du Québec, salla M.450.

Ftojmë të gjithë të apasionuarit e kulturës, historisë dhe literaturës shqiptare të na bashkohen në këtë eveniment. Evenimenti është falas, por vendet janë të limituara, ndaj jeni të lutur të bëni një rezervim për të marre pjesë duke klikuar këtu: LINK PËR REZERVIM

Ilir Ikonomi lindi në Pogradec më 1 shtator 1954 dhe e kaloi fëmijërinë në Tiranë dhe Berat. Kreu studimet e larta për gjuhë kineze në Pekin (1978). Punoi si përkthyes në Radio Tirana (1978-1991), pastaj si gazetar për agjencinë e lajmeve Reuter. Prej vitit 1992 u zhvendos në SHBA dhe punoi për VOA (Zëri i Amerikës). Ilir Ikonomi është gjithashtu autor i librave “Faik Konica, jeta në Uashington”, “Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit” dhe “Pushtimi, ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar”.

“Bota kënaqet me gënjeshtrën, që shëtit nëpër skenë, dhe jo me të vërtetën, që rri në prapaskenë.” Është një nga thëniet më të famshme që na vjen nga poeti, diplomati, publicisti dhe shqipëruesi, Theofan Stilian Noli i njohur ndryshe me emrin Fan Noli, dhe një e tillë na lidh pikërisht me penën e autorit Ilir Ikonomi, i cili të vërtetat e prapaskenave të jetës e veprimtarisë së Nolit, na i ka paraqitur përpara syve nëpërmjet librit biografik të tij më të fundit, “Fan Noli – Apostulli”, shkruan KultPlus.

Noli, figura më e debatuar politike dhe historike është rijetësuar me botimin e vëllimit të parë të librit “Apostulli” në një formë të atillë që nuk e kemi lexuar deri më tani. Ky fundvit e ka gjetur autorin Ikonomi në një atmosferë plot magji, aty ku faqet e librit të tij, të bëjnë të digjesh nëpërmjet rreshtave, të frymosh me to, e të kuptosh rëndësinë e figurës së Nolit si kurrë më parë.

Biografia e jetës së Fan Nolit tashmë është e përshkruar në dhjetëra shkrime të botuara kudo në botë, por është pikërisht kjo figurë gjigande që e ka ngacmuar autorin Ikonomi për t’i palosur mëngët e për t’iu përveshur punës për ta sjellë në dritë ‘Apostulli’, suksesin e të cilit as ai vetë nuk mund ta shijonte aq shumë, për shkak të frikës nga përgjegjësia përpara lexuesit si dhe kohës së pamjaftueshme për të vazhduar me shkrimin e vëllimit të dytë të librit që konsiderohet si sfida e tij e radhës, ngaqë nuk dëshiron t’i zhgënjejë lexuesit e tij besnikë.

Marrë nga: Shqip.com – “Ilir Ikonomi, autori që spikati shpirtin e Fan S. Nolit”

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *