Të dashur bashkatdhetarë, në 27 Prill 2025, ora 15:00, ju ftojmë në takimin : “Sfida e rrëfimit shqip përkundër ligjit të numrave të mëdhenj” me poeten, eseisten dhe tregimtaren Ajkuna Dakli si edhe romancierin, poetin dhe gazetarin Taip Sulko, të ardhur respektivisht nga Toronto dhe Ottawa për Festivalin e Librit Shqip në Montreal. Takimi do të zhvillohet në ambientet e Festivalit në adresën: John Abbot College. 21- 275 Lakeshore Road, Ste Anne de Bellevue, QC, H9X 3L9

AJKUNA DAKLI e lindur në Elbasan në vitin 1969, është diplomuar për matematikë në Universitetin e Tiranës dhe më pas për menaxhim në Universitetin e Torontos, qyteti ku jeton e punon qysh nga viti 2001. Talentin e saj të spikatur në prozën e shkurtër dhe ese e gjejmë në disa nga organet dhe faqet më të njohura shqip si, Gazeta ExLibris, Peizazhe të fjalës, Poeteka dhe Defekt – teknik. Libri i saj i parë është vëllimi poetik “Rrokje” (Botart, 2016). Ajo mban autorësinë e dy përmbledhjeve në prozë të shkurtër, libra të cilët kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe kritikës, “Çizme lëkure në kohë lufte” (2020) dhe “Portrete pa kornizë” (2023), publikuar nga prestigjiozja Shtëpi Botuese Onufri. Ajkuna beson se matematika dhe letërsia janë dy nga format më të larta të shprehjes së intelektit dhe ndjeshmërisë njerëzore, ndaj e ndan jetën mes këtyre dy botëve.

TAIP SULKO është shkrimtar, poet dhe gazetar. Ka studiuar Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës (1977-1982), ka kryer studime një vjeçare pasuniversitare për gazetari, po në Universtietin e Tiranës (1983-1984), si dhe studime master në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Ekonomik të Budapestit, Hungari (1994-1997). Taip Sulko mban autorësinë e disa librave si : “Në anën tjetër të Parajsës” roman, (Fan Noli, 2002). “Antologjia e shpirtrave” tregime (Plejad, 2009) “Toka e premtuar” poezi (Plejad, 2010). “Portat e Qiellit” poezi (Naimi, 2020). “I arratisuri” roman (Naimi, 2024). Një pjesë e mirë e tyre vlerësuar nga kritika.
