Në datën 21 prill 2024, u mbajt asambleja e përgjithshme vjetore e Shoqatës Kulturore Shqiptare të Montrealit. Kjo shoqatë, që është krijuar në vitin 2015, ka hyrë në jetën e shqiptarëve të Montrealit si një shoqatë e re dhe aktive, e vlerësuar shumë për transparencën e saj dhe kodin e etikës që udhëheq kryesinë e saj në organizimin e të gjitha aktiviteteve që bëjnë. Megjithëse pjesëmarrja në këtë asamble vjetore nuk ishte në pritshmërinë e kryesisë së saj, bilanci i punës së një viti dhe angazhimi i plotë në diskutime, tregoi më shumë për atë rifreskim dhe rigjallërim të aktivitetit të shoqatës për periudhen prill 2023 – mars 2024.

Pas 3 viteve qetësie, për shkak të Covid-it, kryesia e zgjedhur në prill të 2023 mori angazhime dhe i vuri vetes përpara sfida të reja për t’ju përgjigjur nevojave të reja të komunitetit. Një nga sfidat ishte krijimi i kanaleve të reja të komunikimit me komunitetin, si hapja e një faqe web dhe përditësimi i faqes facebook të Shoqatës. Grupi i punës së komunikimit udhëhequr nga Z. Ermir Dardha në një kohë të shkurtër e hapi faqen web, si dhe është mbajtur e gjallë gjatë gjithë vitit. U hap gjithashtu një llogari në instagram dhe një ditë me parë një llogari në YouTube.

Gjuha është ai filli i artë që na lidh ne shqiptarëve kudo që jemi dhe për Shoqatën Kulturore mbajtja gjallë e gjuhës, kultures e traditave tona dhe transmetimi i tyre tek brezat që vijnë, për një komunitet që jeton larg mëmëdheut, është në themel të misionit dhe vizionit të saj. Ishte një sukses i madh rihapja e Shkollës Shqipe Naim Frashëri, dy klasat e të cilës filluan në muajin shkurt 2024. Koordinatorja e saj Znj. Anila Hasko shprehu falenderimet e prindërve dhe mësueseve për këtë projekt të bukur dhe me kaq vlerë. Ndërsa Znj. Anxhela Hasa, foli për një projekt të ri kulturor që ishte krijimi i grupit të valleve Albos në shtator të 2023. Grup që ka qenë i pranishëm në të gjitha festat dhe ka sjellë freskinë e valleve popullore shqiptare. Znj Julinda Basha foli në lidhje me statistikat në përmirësim me komunikimin publik nëpërmjet rrjeteve sociale. Ndërsa Z. Ralf Carcani në lidhje me përditësimin e informacionit komunitar për të mbajtur komunitetin të informuar nëpërmjet faqes zyrëtare www.albculture.ca në internet. Ndërsa Z. Fierez Dumani shprehu qartë mesazhin e grupit të punës për krijimin e standartit dhe organizimin sipas rregullave të përcaktuara etj..

Pasurimi i jetës së komunitetit nëpërmjet aktiviteteve të larmishme, ishte një sfidë tjetër. Kalendarit të vitit, përveç piknikut veror, dhe mbrëmjes festive të Festës së Flamurit, që ka qenë traditë në këtë shoqatë, ju shtuan edhe Festa e Babagjyshit në dhjetor 2023, Festa e Kosovës në shkurt 2024 dhe mbrëmja e Festes së Gruas ne muajin mars 2024. Të gjitha këto bënë që të krijohen lidhje të reja në komunitet, e për tu theksuar është bashkëpunimi me Shoqaten e Kosovës për organizimin e Festës së Kosovës. U falenderuan gjithashtu bizneset shqipfolëse që kanë kontribuar në të gjitha aktivitetet dhe projektet e shoqatës. 
Nga raportimet e Kryetarit të Shoqates Z. Glen Kasneci, dhe të anëtarëve të kryesisë jo vetem doli në pah puna e madhe që është bërë, rezultati i së cilës duket në shtimin e fondeve në llogarinë e Shoqatës, por edhe uniteti, kolegjialiteti dhe bashkëpunimi i ngushtë midis të gjithë anëtarëve të kryesisë. Secila, e secili prej tyre, megjithëse punojnë plotësisht në baza vullnetare, kanë vënë orë pafund në shërbim të komunitetit. Z. Prend Tanushi, foli për komunikimet midis tyre jo një herë në javë, por disa herë në ditë, kur ishte e nevojshme për zgjidhjen e një situate, apo marrja e një vendimi të përbashkët. Asnjë nga grupi i kryesisë nuk e ka kursyer ndihmën sipas forcës së secilës, secilit.

Diskutimet e pyetjet ishin konstruktive dhe vunë përpara kryesisë sfida të reja afat shkurtra dhe afatgjata. Megjithëse fillimi i këtij viti të ri financiar po tregon që anëtarësimet e reja që janë kryer vetëm në muajin e parë të këtij viti të ri tejkaluan tashmë anëtarësimet që janë kryer gjatë gjithë periudhes prill 2023-mars 2024, dhe kemi akoma edhe 11 muaj të tjerë, tërheqja e më shumë anëtarëve mbetet një sfidë për Shoqatën Kulturore të Montrealit.

U theksua rëndësia e ndryshimit të statusit nga një shoqate komunitare në një organizëm jo-fitimprures i numerizuar. Z. Kasneci tha se po punohet në këtë drejtim. Instalimi i një sistemi financiar informatik u shtrua si nevojë tjetër dhe një detyrë për vitin 2024-2025. U propozua angazhimi i bizneseve personale, të vogla, të mesme dhe të mëdha shqipfolese, përfitimet reciproke që mund të ketë nga ky angazhim. U votua për tarifikimin e anëtarësimit vjetor të bizneseve që t’i shtohet rregullores së Statutit të Shoqatës. U votua për një rritje të tarifave të anëtarësimit personal e familjar për vitin fianciar 2025-2026 në përshtatje me rritjen e inflacionit. Ndryshim ky, që do të reflektohet në Statut gjithashtu. U diskutua që donacionet për Shkollën Shqipe të kontabilizohen në projektin e Shkollës. Nevoja e pasjes së një pike takimi, informacioni për Shoqatën dhe anëtarët e saj, veçanërisht për të porsaardhurit doli me forcë në Asamble. Mundësitë financiare e pengojnë një zbatim të tillë, por mbetet në detyrat afatgjata të Shoqatës. Projekti i vendosjes së bustit të Gjergj Kastriotit, një nga projektet afatgjatë edhe ky, u diskutua dhe për momentin do të mbetet i tillë.

Dy anëtarë të nderuar të kryesisë Z. Artur Gjidede dhe Z. Prend Tanushi (nën-kryetar 2023-2024) përfunduan mandatet dhe ua lanë vendin hyrjes së dy zonjave të reja që u votuan unanimisht. Znj. Anila Erindi dhe Znj. Azra Isufi Gushta te cilat ju bashkuan ekipit drejtues. Z. Korab Xharra u zgjodh nënkryetar i ri dhe Z. Glen Kasneci u rizgjodh kryetar, Znj. Anila Hasko sekretare.


Shoqata Kulturore Shqiptare e Montrealit dhe kryesia e saj energjike, po tregon se si mund të punohet së bashku, me një mision e vizion të qartë, me dëshirë, përkushtim, bashkëpunim dhe mbi të gjitha transparencë. Kjo transparencë u ndje gjatë gjithë asamblese së përgjithshme vjetore.

https://www.youtube.com/watch?v=7Vi-N_8ZM10&t=37s

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *