Tavë Kosi me Mish Qengji
Ingredientët:
- 6 – 8 copa mish qengji
- 1 litër kos
- 1 litër lëng mishi qengji
- 1 lugë çaji hudhra të grira
- 1 lugë gjelle plot miell
- 2 lugë gjelle plot miell misri
- 5 kokrra vezë
- 8 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 filxhan kafe oriz
- ½ lugë çaji kripë
Përshkrimi:
Në fillim pastrojmë dhe ziejmë mishin e qengjit, më pak kripë dhe 1 litër e ½ ujë, pas kësaj e heqim mishin, kullojmë lëngun dhe i lëmë mënjanë të ftohen.
Ndërkohë që lëngu ftohet fillojmë përgatitjen e tavës së kosit ku në një enë të thellë përziejmë mirë vezët, të cilat i ke rrahur pak më parë, vazhdojmë duke shtuar kosin, miellrat, vajin, kripën, hudhrat e grira.
Pasi kemi përftuar një masë homogjene fillojmë shtojmë lëngun e mishit të cilin e kemi kulluar më parë dhe e lëm mënjanë.
Në një tepsi vendosim copat e mishit të qengjit, shpërndajmë gjithandej nëpër fundin e tepsisë orizin të cilin e kemi pastruar më parë dhe hedhim përzierjen e sipërme me kosin, vezët dhe lëngun e mishit.
Mbi çdo copë mishi vendosim një lugë çaji gjalpë në mënyrë që mishi të qëndroji i butë gjatë pjekjes.
E pjekim në furrë të para ngrohur 200°C për 1 orë e 30 – 40 minuta ose derisa tava të mos ketë më lëng.