Në Festivalin e Librit Shqip në Montreal, 27 prill 2025, ora 18:00 PM, ju ftojmë në takimin “ZËRI FEMËROR I POEZISË NË DIASPORË”. Në këtë panel kemi tre përfaqësueset nga Kanadaja. Të ftuara: poetja e disa librave me poezi zj.Valbona Ahmeti, zj. Anila Erindi një tjetër penë e apasionuar ndaj poezisë, dhe e ftuara e tretë do të jetë në lidhje në linjë direkt nga Vancouver, autorja e disa librave me poezi znj. Armenida Qyqja. Takimi do zhvillohet në ambientet e festivalit në adresën : John Abbott College, 21275 Lakeshore Road, Ste Anne de Bellevue, QC, H9X 3L9 Mirë se të vini!

Valbona Ahmeti lindur në 1973 në fshatin Dubofc të Drenicës. Studioi në Prishtinë Dega Fizikë-Kimi. Në vitin 1999 vendoset në Kanada ku jeton dhe punon në arsim. Për komunitetin shqiptar të Montrealit është edukatore, ndihmës mësuese në shkollën shqipe «Dardania». Ka botuar tre libra me poezi. “Heshtja që vret” (Lena Graphic, Prishtinë 2021). “Drenicë zë i lirisë” (Lena Graphic, 2022). “Dua t’i puthë dashuritë” (Lena Graphic, 2024). Poezitë e Valbonës janë publikuar në disa gazeta të njohura si : Gazeta Nacional, Gazeta e Alpeve, Fjala e lirë, Orfeu, Ciceroni, Qendra Press, Destinacioni, Albania Press, Poezitë e saj janë të përfshira në disa antologji si : Antologjia e poetëve mbarëkombëtarë 2024. Antologjia poetike 1991-2023 (33 vjet poezi shqipe) 2024. Antologjia Atdheun e shoh me zemër (71 autorë për mërgimin) 2023. Antologjia e radhës «Pena e Gruas» 2025. Revista Antologjike «Gjurmë penash» 2025.

Anila Erindi lindur në Tiranë. Mbaroi fakultetin në degën inxhinieri Hidro. Emigroi në vitin 1997 në Montreal, Canada. U diplomua me Master of Science nga Universiteti McGill. Punon në bashkinë e qytetit në projektet e ujësjellsit. Ka qënë kryetare e Shoqatës Kulturore Shqiptare të Montrealit. Merr pjesë aktive për gjallërimin e jetës kulturore të komunitetit. Anila, është autore e librit “Buzë nën lëkurë” poezi (Muzgu, 2019). Si edhe tashmë në fazën e botimit të dy librave me poezi shqip dhe një në italisht. Ka marrë pjesë në antologjinë e poeteve shqiptarë. Krijimtaria e saj është lexuar dhe vlerësuar. Kritiku Mark Simoni shprehet: “Ajo shkruan me një lehtësi të paparë vargje që shndrisin, si një grusht smeraldesh që i hedh në një sipërfaqe fajance, për të përndritur çdo gjë përreth, për të zgjuar ndjesi, gjendje, situata, brengë e mall, dashuri dhe trishtime”.

Armenida Qyqja lindur në 1977 në Tiranë. Autore e tetë librave me poezi, dy librave me tregime të shkurtra dhe një përmbledhje me poezi të botuara në gjuhën angleze. Në vitin 1995, emigroi në Vancourver, British Columbia, Kanada ku dhe jeton edhe sot duke ushtruar profesionin e ndihmës dentistes, ndërkohë që pasioni i saj i vërtetë ka qenë dhe mbetet letërsia. Armendia mbart autorësinë e : Përtej kangjellave të shiut, poezi (Muzgu, 2018). Mes rrahjeve të zemrës, poezi (Ena, 2020). Puthje në eter, poezi (Ena, 2020). Letra pa zarf, poezi (Ena, 2020). Dyzet plus, poezi (Korça Press, 2021). A bunch of poems instead of flowers, poetry (Amazon, 2022). I vdekuri që qesh, tregime (Ada, 2022). Sizifi i shpirtit tim, poezi (Maluka, 2023). Ktheja zemrën pranverës, poezi (Maluka, 2023). Mbi një gjysmë kafke bunkeri, poezi (Botimet Jozef, 2024). Pirgje të hirta, tregime (Botimet Jozef, 2024).